© 2024 Qarkonomi. Created for free using WordPress and Kubio
Në anën e majtë të diagramit flutur është cikli biologjik, i cili tregon materialet që mund të biodegradohen dhe të kthehen në mënyrë të sigurtë në tokë. Ky cikël ka të bëjë kryesisht me produktet që konsumohen, si ushqimet. Megjithatë, disa materiale të tjera të biodegradueshme, si pambuku ose druri, mund të kalojnë nga cikli teknik në ciklin biologjik pasi të jenë degraduar deri në një pikë ku nuk mund të përdoren më për të prodhuar produkte të reja.
Cikli biologjik përshkruan proceset që kthejnë lëndët ushqyese në tokë dhe ndihmojnë në rigjenerimin e natyrës.
Në zemër të ciklit biologjik është koncepti i rigjenerimit. Është parimi i tretë i ekonomisë qarkulluese. Në vend që të shfrytëzojmë vazhdimisht natyrën, siç bëjmë në ekonominë lineare, në ekonominë qarkulluese ndërtojmë kapital natyror.
Ne përdorim praktika bujqësore që lejojnë natyrën të rindërtojë tokat dhe të rrisë biodiversitetin. Sistemi ynë më i gjerë ushqimor i kthen materialet biologjike në tokë në vend që t’i shpërdorojë ato. Fokusi ynë nuk duhet të jetë më vetëm për t’i bërë më pak dëm mjedisit, por dhe se si mund ta përmirësojmë mjedisin në mënyrë aktive.
Ne mund të menaxhojmë fermat dhe burimet e tjera biologjike si pyjet dhe rezervuarët e
peshqëve, në mënyra që krijojnë rezultate pozitive për natyrën. Këto rezultate përfshijnë, por nuk kufizohen vetëm në, toka të shëndetshme dhe të qëndrueshme, përmirësimin e biodiversitetit lokal, përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe ujit dhe ruajtjen e më shumë karboni në tokë. Ato mund të arrihen përmes një sërë praktikash dhe së bashku mund të ndihmojnë në rigjenerimin e ekosistemeve të degraduara dhe në ndërtimin e biodiversitetit dhe qëndrueshmërisë në ferma dhe në peizazhet përreth.
Për të arritur këto qëllime, fermerët mund të përdorin disa shkolla të ndryshme të mendimit, si bujqësia rigjeneruese, akuakultura restauruese, agroekologjia, agropylltaria dhe bujqësia konservuese, për t’i ndihmuar ata të zbatojnë grupin më të përshtatshëm të praktikave për të sjellë rezultate përtëritëse në fermat e tyre.
Pasi të mblidhet dhe konsumohet ushqimi, lëndët ushqyese në rrjedhat e mbetjeve organike mund të mblidhen dhe të kthehen në tokë nëpërmjet proceseve si kompostimi dhe tretja anaerobe. Nëse lëndët ushqyese nuk kthehen, toka varfërohet, që do të thotë se fermerët janë të detyruar të mbështeten gjithnjë e më shumë në plehrat kimike për të mbajtur tokën bujqësore produktive.
Kompostimi është shpërbërja mikrobike e lëndës organike në prani të oksigjenit. Ai mund të përdoret për të kthyer nënproduktet ushqimore dhe materiale të tjera të biodegradueshme në kompost, i cili mund të përdoret si një përforcues i tokës, duke i kthyer materialet e vlefshme në tokën bujqësore në vend të plehrave artificiale. Procesi është biologjik dhe përfshin mikroorganizma natyralë, si bakteret dhe kërpudhat.
Tretja anaerobe është një mënyrë tjetër për të rikuperuar materialet e mbartura në mbetjet organike. Ashtu si me kompostimin, procesi përfshin mikroorganizma, por në këtë
rast në mungesë të oksigjenit. Tretja anaerobe prodhon biogaz dhe një mbetje të ngurtë. Kjo mbetje/pleh mund të aplikohet drejtpërdrejt në tokë ose të kompostohet dhe të përdoret si një modifikues i tokës.
Biogazi, i përbërë kryesisht nga metani dhe dioksidi i karbonit, mund të prodhohet si nga kompostimi ashtu edhe nga tretja anaerobe dhe të përdoret si një burim energjie i ngjashëm me gazin natyror. Ky lloj rikuperimi i energjisë është pjesë e një ekonomie qarkulluese pasi është nënprodukt i procesit të kthimit të materialit organik në tokë.
Këto unaza të ciklit biologjik përdorin produkte dhe materiale të pranishme në ekonomi. Kjo mund të nënkuptojë, për shembull, përdorimin e nënprodukteve ushqimore për të bërë materiale të tjera, si për shembull fije tekstile të rrjedhura nga lëkura e portokallit, ose dizajnimin e produkteve të reja ushqimore duke përdorur përbërës që zakonisht konsiderohen mbetje, si ketchup-i i bërë nga lëkura e
bananes. Mund të nënkuptojë gjithashtu përdorimin e materialeve për aplikime të tilla si ushqimi i kafshëve. Kur produktet ose materialet nuk mund të përdoren më, ato kalojnë në unazat e jashtme të ciklit biologjik ku kthehen në tokë.
Ky hap përfshin përdorimin e biorefinerive për të prodhuar produkte kimike me vëllim të ulët, por me vlerë të lartë, duke marrë si lëndë ushqyese materialet biologjike pas vjeljes si dhe ato pas konsumit. Për më tepër, biorefineritë mund të prodhojnë një sërë produktesh të tjera të vlefshme nisur nga materialet organike përmes një sërë hapash. Këto procese mund të prodhojnë në mënyrë të njëpasnjëshme, për shembull, lëndë biokimike dhe ushqyese me vlerë të lartë, të ndjekura nga biokimikate me shumicë.
Në anën e djathtë të diagramit flutur është Cikli Teknik, i fokusuar në produkte që mbeten në përdorim në vend që të bëhen mbetje.
Diagrami tregon se qarqet më të vogla të brendshme janë të rrethuara nga qarqe më të mëdha të jashtme. Këto qarqe të brendshme janë ato tek të cilat mund të mbahet më shumë vlerë, duke e ruajtur më shumë vlerën e një produkti duke e mbajtur atë të plotë. Për shembull një telefon inteligjent – një telefon që funksionon vlen më shumë se shuma e pjesëve të tij, sepse koha dhe energjia që është harxhuar për ta bërë atë nuk humbet. Prandaj, qarqet e brendshme si ndarja/bashkë-përdorimi, mirëmbajtja dhe ripërdorimi duhet të kenë prioritet mbi qarqe të jashtme që e zbërthejnë dhe riformojnë produktin. Këto unaza përfaqësojnë gjithashtu një kursim kostoje për klientët dhe bizneset pasi ata përdorin produkte dhe materiale tashmë në qarkullim, në vend që të investojnë për t'i bërë ato të reja.
Unaza më e jashtme, riciklimi, është pra faza e fundit në një ekonomi qarkulluese, sepse nënkupton humbjen e vlerës së ngulitur të një produkti duke e reduktuar atë në materialet e tij bazë.
Është e rëndësishme të kihet parasysh që në fillim se secili prej këtyre qarqeve do të funksionojë më mirë nëse produktet janë të dizajnuara për atë hap. Kjo mund të nënkuptojë që artikujt e destinuar për ndarje/bashkë-përdorim ose ripërdorim të prodhohen më të qëndrueshme në mënyrë që t'i rezistojnë përdorimit intensiv, mund të nënkuptojë dizajnimin e produkteve në mënyrë që të mund të riparohen lehtësisht, dizajnimin e tyre për të qenë modularë në mënyrë që komponentët të mund të zëvendësohen dhe riprodhohen, ose dizajnimi i produkteve me materiale që mund të ndahen lehtësisht për riciklim. Është gjithashtu e rëndësishme të projektohet për qarqe të shumta, për shembull, duke bërë një produkt të riparueshëm nga materiale të riciklueshme.
Bashkëpërdorimi është hapi i parë në ciklin teknik dhe, megjithëse nuk është i përshtatshëm për të gjitha produktet në ekonomi, ka fuqinë të rrisë në mënyrë dramatike përdorimin e shumë produkteve.
Një shembull i shkëlqyer i kësaj janë mjetet. Sipas një statistike një trapan përdoret mesatarisht vetëm për 13 minuta gjatë gjithë jetës së këtij produkti. Ky është një nënshfrytëzim shumë i madh – dhe megjithatë shumë prej nesh ende e kanë një trapan në shtëpi. Pse të mos ndajmë? Bibliotekat e mjeteve të komunitetit, si në Toronto, janë një mënyrë e shkëlqyer për ta lehtësuar këtë. Përdoruesit paguajnë me abonim,m fitojnë akses në mjete me cilësi më të lartë se sa do të blinin vetë dhe pastrojnë dhe lënë më shumë hapësirë në shtëpinë e tyre në të njëjtën kohë. Biblioteka të tilla po shfaqen në komunitetet në të gjithë botën dhe jo vetëm për mjete.
Ndarja mund të zbatohet për një sërë llojesh produktesh. Ka një numër në rritje të platformave që lejojnë përdoruesit të përdorin rroba nga gardëroba të përbashkëta. Ka sisteme të ndarjes së makinave në qytete në të gjithë botën. Ka platforma si Airbnb që lejojnë njerëzit të ndajnë hapësirat. Dhe ka kompani sigurimesh që
ofrojnë mikro-sigurime për ata që kërkojnë të fitojnë para shtesë duke renditur artikujt e tyre në platformat peer-to-peer, por janë të shqetësuar për dëmet e mundshme.
Ekzistojnë gjithashtu platforma të krijuara për t’u mundësuar bizneseve të korrin përfitimet e ekonomisë së bashkëpërdorimit, siç është Rheaply, një shërbim B2B që lejon organizatat të shfrytëzojnë maksimumin nga pajisjet që në të kundërt do të mbeteshin pa përdorur.
Nëse bashkëpërdorimi është një mënyrë për të rritur intensitetin e përdorimit të produktit, një mënyrë tjetër për të maksimizuar vlerën e një produkti është duke zgjatur jetëgjatësinë e përdorimit të produktit. Mirëmbajtja është një mënyrë e rëndësishme për të mbajtur produktet në një cilësi të lartë dhe për të mbrojtur kundër prishjes ose dëmtimit.
Mirëmbajtja mund të zbatohet për shumicën e produkteve që mund të ndikohen nga konsumimi. Për shembull, Clothes Doctor i fuqizon njerëzit të kujdesen për veshjet e tyre duke ndarë njohuritë rreth kujdesit dhe mirëmbajtjes.
Qarku tjetër në ciklin teknik të diagramit flutur është ripërdorimi. Ashtu si bashkëpërdorimi dhe mirëmbajtja, ky hap i mban produktet në përdorim në formën e tyre origjinale dhe për qëllimin e tyre origjinal. Modelet e biznesit të ripërdorimit po shfaqen në të gjithë ekonominë, veçanërisht në paketim.
Paketimi i ripërdorshëm është një nga mënyrat më efektive për të trajtuar mbetjet e ambalazheve, veçanërisht plastike, dhe po përdoret nga bizneset në të gjithë industritë, nga ushqimi dhe pijet deri te kozmetika dhe pastrimi i shtëpisë.
Një tjetër industri e ripërdorimit në lulëzim është ajo e veshjeve. Gjithnjë e më shumë njerëz po shesin veshjet e tyre të padëshiruara dhe po blejnë rroba nga platformat e rishitjes, dhe me një kosto më të ulët se nëse do blinin një veshje të re. Kjo zëvendëson nevojën për të prodhuar një artikull të ri dhe ndalon një artikull të padëshiruar që të shkojë dëm.
Rishpërndarja është një mënyrë tjetër për t’i mbajtur produktet në përdorim dhe për të ndaluar që ato të kthehen në mbeturina. Duke devijuar produktet nga tregu i tyre i synuar te një klient tjetër, produkti vihet në përdorim të vlefshëm. Për shembull, një markë e modës mund të rishpërndajë veshjet e pashitura nga një dyqan në tjetrin.
Kthimi i produkteve në gjendje të mirë është një mënyrë për të rikthyer vlerën e tyre. Kjo mund të përfshijë riparimin ose zëvendësimin e pjesëve, përditësimin e specifikimeve dhe përmirësimin e pamjes.
Rinovimi mund të kryhet nga vetë individët në produktet e tyre, ose nga specialistë. Lëvizja Right to Repair synon të bëjë ndryshime në rregullore në mënyrë që produktet të dizajnohen në një mënyrë që u mundëson përdoruesve t’i riparojnë ato vetë.
Ka shembuj të panumërt të kompanive që punojnë për të mbajtur produktet në përdorim përmes rinovimit. Një shembull i mirë është në industrinë e teknologjisë, ku ka shumë kompani që blejnë artikuj të përdorur si telefonat celularë, i rinovojnë dhe i shesin me një çmimit më të ulët se ai fillestar.
Faza tjetër e ciklit teknik është riprodhimi. Kjo bëhet kur produktet nuk mund të qëndrojnë në qarkullim në gjendjen e tyre aktuale dhe kanë nevojë për punë më intensive për t’u përdorur përsëri. Riprodhimi përfshin ri-inxhinierimin e produkteve dhe pjesëve përbërëse në gjendje si të reja, me të njëjtin nivel ose të përmirësuar të performancës si një i produkt sapoprodhuar. Produktet ose komponentët e riprodhuar zakonisht pajisen me një garanci që është e barabartë ose më e mirë se ajo e produktit të sapoprodhuar.
Mund të kërkojë më shumë investime në impiante dhe makineri sesa në ciklin e brendshëm teknik, por do të thotë që produktet dhe përbërësit nuk kthehen në mbeturina dhe mund të mbeten në ekonomi, duke përfaqësuar një kursim kostoje për bizneset dhe
klientët.
Kina e ka adoptuar ekonominë qarkulluese si një prioritet kombëtar që nga fundi i viteve 2000 dhe e ka përcaktuar riprodhimin e automjeteve si një sektor strategjik.
Hapi i fundit në ciklin teknik është riciklimi. Kjo është për rastet kur një produkt nuk mund të përdoret më dhe është përtej rinovimit ose riprodhimit, ose nuk është i përshtatshëm për ato hapa. Është mënyra përfundimtare e mbajtjes në përdorim të materialeve nga të cilat është bërë produkti në mënyrë që ato të mos bëhen mbeturina.
Me riciklimin, vlera e një produkti – koha dhe energjia e investuar për ta bërë atë – humbet, por vlera e materialeve ruhet. Riciklimi nënkupton transformimin e një produkti ose komponenti në materialet ose substancat e tij bazë dhe ripërpunimin e tyre në materiale të reja.
Projektimi për riciklim është i rëndësishëm për të gjitha produktet në ciklin teknik, por veçanërisht për artikujt që nuk janë të përshtatshëm për hapat e tjerë të ciklit. Këto artikuj përfshijnë paketimin për një përdorim, i cili në vetvete është i përshtatshëm vetëm kur nuk mund të dizajnohet dhe alternativat e ripërdorshme nuk janë të mundshme.
© 2024 Qarkonomi. Created for free using WordPress and Kubio