Të rinjtë e shkollave profesionale reflektojnë mbi të ardhmen përmes dokumentarit “Utopia Revisited” 

Në kuadër të nismës për zhvillimin e aftësive të gjelbra dhe digjitale tek të rinjtë e arsimit profesional, Qendra për Aftësi Konkurruese (CCS) organizon ditën e premte, më 26 Shtator, një aktivitet ndërgjegjësues dhe edukues me nxënësit e shkollave profesionale “Gjergji Canco” në Tiranë dhe “Mihal Shahini” në Cërrik. 

Aktiviteti përfshin diskutime të hapura me të rinjtë mbi sfidat sociale dhe mjedisore të kohës, duke vendosur në qendër çështje të tilla si drejtësia sociale, konsumi i ndërgjegjshëm, ekonomitë alternative dhe roli i individit në ndërtimin e një shoqërie më të qëndrueshme. Nxënësit pritet të angazhohen aktivisht në reflektime dhe shkëmbim mendimesh mbi këto tema, duke përgatitur terrenin për pjesën e dytë të aktivitetit: shfaqjen e dokumentarit “Utopia Revisited”. 

Ky dokumentar, i realizuar nga regjisori Kurt Langbein, sjell një udhëtim përmes iniciativave konkrete nga e gjithë bota, ku njerëz të zakonshëm kanë krijuar modele të reja bashkëjetese dhe zhvillimi që sfidojnë sistemin ekonomik tradicional. Përmes shembujve nga Gjermania, Koreja e Jugut, Zvicra, Argjentina dhe Kongo, filmi ofron një perspektivë të re mbi mënyrat alternative të të jetuarit, të bazuara në bashkëpunim, vetë-menaxhim dhe qëndrueshmëri mjedisore. 

Në qendër të filmit qëndrojnë histori frymëzuese si ajo e Petra Wähning, që mbështet bujqësinë komunitare në Gjermani, apo kooperativa Hansalim në Korenë e Jugut që furnizon miliona njerëz me produkte organike duke mbështetur njëkohësisht fermerët lokalë. Në Zvicër, banorët e një kompleksi urban eksperimental reduktojnë ndjeshëm konsumin e energjisë, ndërsa në Argjentinë, punëtorët marrin në dorë drejtimin e një fabrike çaji përmes vetë-menaxhimit. 

“Utopia Revisited” nuk është vetëm një reflektim mbi realitetin aktual, por një ftesë për të menduar dhe vepruar ndryshe. Filmi ngre pyetje thelbësore mbi drejtimin që ka marrë shoqëria globale dhe ofron shembuj konkretë të rrugëve alternative që janë tashmë në zbatim në disa pjesë të botës. 

Përmes këtij aktiviteti, CCS synon të krijojë hapësira për edukim kritik, ndërgjegjësim social dhe përfshirje aktive të të rinjve në temat që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në të ardhmen e tyre. Të rinjtë e arsimit profesional nuk janë thjesht përfitues të njohurive teknike, por qytetarë të rinj që kanë potencialin për të udhëhequr ndryshimin drejt një bote më të drejtë, më të barabartë dhe më të qëndrueshme. 

CATEGORIES:

Lajme

Tags:

No responses yet

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *