© 2024 Qarkonomi. Created for free using WordPress and Kubio
Parimi i parë i ekonomisë qarkulluese është eliminimi i mbetjeve dhe ndotjes. Aktualisht, ekonomia jonë funksionon në një sistem merr-prodho-hidh. Ne marrim lëndë të para nga Toka, prodhojmë produkte prej tyre dhe përfundojmë duke i hedhur si mbeturina. Pjesa më e madhe e këtyre mbetjeve përfundon në landfille ose inceneratorë dhe humbet. Ky sistem nuk mund të funksionojë në afat të gjatë, sepse burimet në planetin tonë janë të kufizuara.
Problemi (dhe zgjidhja) fillon me dizajnin
Për shumë produkte në treg, nuk ka asnjë rrugëtim pas përdorimit të tyre. Merrni një pako patatina, për shembull. Këto paketime plastike nuk mund të ripërdoren, riciklohen ose kompostohen, kështu që përfundojnë si mbetje. Për produkte si këto, mbetjet janë ndërtuar brenda. Ato janë projektuar të jenë të disponueshme.
Edhe pse ndonjëherë duket sikur mbetjet janë të pashmangshme në situata të caktuara, mbetjet janë në fakt rezultat i zgjedhjeve të projektimit. Në natyrë nuk ka mbeturina, është një koncept që e kemi futur ne. Nga produktet e vogla, jetëshkurtër, si pakot e patatinave, deri te strukturat në dukje të përhershme si ndërtesat dhe rrugët, ekonomia është e mbushur me objekte që janë projektuar pa pyetur: Çfarë ndodh me këtë në fund të jetës së saj?
Nga lineare në qarkulluese
Duke ndryshuar mentalitetin tonë, ne mund t’i trajtojmë mbeturinat si një e metë dizajni apo projektimi. Në një ekonomi qarkulluese, një specifikim për çdo dizajn produkti është që të konceptohet rihyrja e materialve në ekonomi në fund të përdorimit të tyre. Duke e bërë këtë, ne shndërrojmë sistemin linear merr-prodho-hidh dhe e bëjmë atë qarkulluese.
Shumë produkte mund të qarkullojnë duke u mirëmbajtur, bashkëpërdorur, ripërdorur, riparuar, rinovuar, riprodhuar dhe, si mjeti i fundit, ricikluar. Ushqimi dhe materialet e tjera biologjike që janë të sigurta për t’u kthyer në natyrë mund të rigjenerojnë tokën, duke nxitur prodhimin e ushqimeve dhe materialeve të reja.
Me fokus në dizajn, ne mund të eliminojmë konceptin e mbeturinave.
Projektuesit që eliminojnë mbeturinat për një ekonomi qarkulluese
Ndërsa koncepti i ekonomisë qarkulluese është bërë më gjerësisht i pranuar si një mënyrë tërheqëse për të bërë përpara, kompanitë në mbarë botën kanë rimenduar mënyrën se si i projektojnë, prodhojnë dhe ribëjnë produktet e tyre.
Apeel është një kompani që ka shpikur një mënyrë inovative për të eliminuar ambalazhet plastike një-përdorimshe të frutave dhe perimeve të freskëta, duke trajtuar në të njëjtën kohë mbetjet ushqimore. Apeel është një shtresë e konsumueshme, me bazë bimore, e aplikuar mbi produktet e freskëta që imiton dhe përmirëson mbrojtjen natyrore të frutave dhe perimeve. Kjo ngadalëson dy arsyet kryesore që shkaktojnë prishjen e frutave dhe perimeve – humbjen e ujit dhe oksidimin.
Apeel u shpërndahet partnerëve si pluhur dhe përzihet me ujë në qendrat e paketimit. Mund të aplikohet me spërkatje, zhytje ose furçë. Frutat dhe perimet e trajtuara me Apeel qëndrojnë të freskëta dy deri në tre herë më gjatë, pa pasur nevojë për ambalazhe plastike.
Shumë kompani po miratojnë paketimin e ripërdorshëm si një mënyrë për të eliminuar mbeturinat, ndërsa disa, si Lush dhe shumë të tjera, thjesht po shesin produkte pa ambalazhim. Lush ka ridizajnuar disa nga produktet e saj të lëngshme të kujdesit personal për t’u shitur si formulime të ngurta që zëvendësojnë produktet e lëngshme në shishe plastike. Gama e tyre “e zhveshur” tani përfshin shampo koke, balsam, shampo trupi, toner dhe deodorant.
Eliminimi i mbetjeve dhe ndotjes nuk kufizohet vetëm në paketim. Kompania e tekstilit DyeCoo ka zhvilluar një teknologji për ngjyrosjen e tekstileve pa përdorur ujë dhe për këtë arsye eliminon ujërat e zeza toksike. Në vend të ujit, DyeCoo përdor dioksid karboni si tretës në një sistem të mbyllur. Ndërsa investimi kapital në pajisje është më i lartë se për ngjyrosjen konvencionale, kompania raporton se mund të zvogëlojë kostot e funksionimit për shkak të cikleve të shkurtra të grupeve, përdorimit efikas të bojës dhe shmangies së trajtimit të ujërave të zeza. Teknologjia gjithashtu mund të zvogëlojë rreziqet për shëndetin dhe sigurinë duke minimizuar ekspozimin e punëtorëve ndaj kimikateve
toksike.
Një nga makineritë e DyeCoo mund të përpunojë 800 ton poliestër në vit, duke kursyer efektivisht 32 milionë litra ujë, duke shmangur përdorimin e 160 tonëve kimikate dhe duke eliminuar plotësisht çlirimin e ujërave të zeza në mjedisin natyror.
Koha është tani
Duke adoptuar këtë parim të parë të ekonomisë qarkulluese, ne mund të fillojmë të mbyllim qarkun e materialeve dhe të mbyllim rubinetin që aktualisht po dërgon çdo ditë një përrua mbetjesh në landfille dhe inceneratorë. Me një theks në dizajn dhe projektim, ne mund të ndalojmë mbetjet para se të krijohen.
Parimi i dytë i ekonomisë qarkulluese është qarkullimi i produkteve dhe materialeve me vlerën e tyre më të lartë. Kjo nënkupton mbajtjen në përdorim të materialeve, qoftë si produkt ose, kur nuk mund të përdoret më, si përbërës apo lëndë të para. Në këtë mënyrë, asgjë nuk bëhet mbeturinë dhe vlera e brendshme e produkteve dhe materialeve ruhet.
Ka një sërë mënyrash se si produktet dhe materialet mund të mbahen në qarkullim, dhe mund të jetë i dobishëm konceptimi i dy cikleve themelore – cikli teknik dhe cikli biologjik.
Në ciklin teknik, produktet ripërdoren, riparohen, riprodhohen dhe riciklohen. Në ciklin biologjik, materialet e biodegradueshme kthehen në tokë përmes proceseve të tilla si kompostimi dhe tretja anaerobe.
Cikli teknik
Mënyra më efektive për të ruajtur vlerën e produkteve është ruajtja dhe ripërdorimi i tyre. Merrni për shembull një telefon: është shumë më i vlefshëm si telefon sesa si një grumbull përbërësish dhe materialesh. Pra, hapat e parë në ciklin teknik përqendrohen në mbajtjen e produkteve të plota për të ruajtur vlerën maksimale të mundshme. Kjo mund të përfshijë modele biznesi të bazuara në bashkëpërdorimin, në mënyrë që përdoruesit të kenë akses në një produkt në vend që ta zotërojnë atë, dhe më shumë njerëz mund ta përdorin në kohë. Mund të përfshijë ripërdorim përmes rishitjes. Mund të nënkuptojë cikle mirëmbajtjeje, riparimi dhe rinovimi.
Përfundimisht, kur produkti nuk mund të përdoret më, përbërësit e tij mund të përdoren për riprodhimin e një produkti të ri. Pjesët që nuk mund të përdoren për riprodhim mund të ndahen në materialet e tyre përbërëse dhe të riciklohen. Riciklimi është opsioni i fundit, sepse do të thotë se vlera e ngulitur në produkte dhe komponentë humbet, është me rëndësi si hapi i fundit që lejon që materialet të qëndrojnë në ekonomi dhe të mos përfundojnë si mbetje.
Cikli biologjik
Materialet e biodegradueshme që nuk mund të ripërdoren, si disa nënprodukte ushqimore, mund të qarkullojnë përsëri në ekonomi në ciklin biologjik. Duke kompostuar ose tretur në mënyrë anaerobe materiale organike, lëndë ushqyese të vlefshme, si azoti, fosfori, kaliumi dhe mikronutrientët, mund të përdoren për të ndihmuar në rigjenerimin e tokës në mënyrë që të mund të prodhojmë më shumë ushqime ose
materiale të rinovueshme si pambuku dhe druri.
Disa produkte, si veshjet prej pambuku ose mobiljet prej druri, mund të qarkullojnë si në ciklin teknik ashtu edhe në atë biologjik. Ato mund të mirëmbahen, ripërdoren, riparohen dhe ndonjëherë edhe riciklohen, por përfundimisht mund të kthehen në ciklin biologjik nga i cili kanë ardhur. Të kompostuara ose të tretura në mënyrë anaerobike, ato mund të ushqejnë tokën për të rritur pambuk ose dru të ri.
Dizajni është çelësi i suksesit
Në mënyrë që produktet të qarkullojnë me sukses qoftë në ciklin biologjik apo teknik, është thelbësore që ato të jenë projektuar duke pasur parasysh qarkullimin e tyre eventual. Ka shumë produkte në ekonominë tonë aktuale që nuk mund të qarkullojnë në asnjë cikël dhe përfundojnë si mbeturina. Ka produkte që bashkojnë materialet teknike dhe biologjike në atë mënyrë që ne nuk mund t’i ndajmë dhe t’i qarkullojmë – për shembull, tekstile që përziejnë fibrat natyrore dhe plastike.
Nëse projektuesit do mendonin se si produkti i tyre mund të përshtatej në ciklet teknike ose biologjike pas përdorimit, atëherë produktet që në prodhim do e kishin të mirëmenduar pjesën e pas përdorimit të tyre. Për shembull, produktet e destinuara për cikle teknike do të ishin të lehta për t’u riparuar dhe mirëmbajtur, të lehta për t’u shkëputur dhe të përbëra nga komponentë modularë që mund të zëvendësohen. Ato mund të jenë mjaft të qëndrueshme për t’i bërë ballë konsumimit të shumë përdoruesve. Dhe ato mund të bëhen nga materiale që riciklohen lehtësisht.
Nëse produkte si mobiljet prej druri do të projektoheshin – si dhe për të qenë të lehta për t’u mirëmbajtur dhe riparuar – duke pasur parasysh ciklin biologjik, pjesët përbërëse të biodegradueshme (si druri) do të ndaheshin lehtësisht nga materialet teknike (si vidhat) dhe nëse ngjitësit dhe bojërat do të përdoreshin ato do të ishin të biodegradueshme. Produkte të tjera, si kontejnerët e ushqimit për marrjen e ushqimit, mund të dizajnohen të jenë të kompostueshme pas një përdorimi, në mënyrë që të rrisin shanset që mbetjet ushqimore që përmbajnë të kthehen në tokë.
Shembuj të kompanive që projektojnë për qarkullim
Ka shumë kompani inovative që tashmë i dizajnojnë produktet e tyre duke pasur parasysh riciklimin. Ecovative bën ambalazhe të kompostueshme nga nënproduktet bujqësore (pjesët e të mbjellave që nuk mund të konsumohen) dhe micelet (rrënjët e kërpudhave). Paketimi funksionon si polistiren i zgjeruar për të mbrojtur sendet e brishta në tranzit, por është nga një burim i rinovueshëm dhe nuk kontribuon në mbetjet plastike. Miceliumi është një rrjet kërpudhash me qeliza në formë fijesh, që vepron si një ngjitës natyral, vetë-montues. Rritet në 5-7 ditë pa pasur nevojë për dritë apo ujë, duke tretur nënproduktet bujqësore dhe duke u lidhur në çdo formë të nevojshme. Në fund të procesit, materiali kalon nëpër një proces dehidrimi dhe trajtimi me nxehtësi për të ndaluar rritjen dhe për të siguruar mungesën e sporeve ose alergjenëve. Pasi të përdoret, mund të kompostohet në mënyrë të sigurt dhe të kthehet në tokë.
Resortecs ka zhvilluar një zgjidhje inovative për të përmirësuar riciklimin e rrobave të qepura si xhinse dhe xhaketa që duhet të ndahen përpara se materialet e tyre përbërës të mund të riciklohen. Procesi ekzistues i çmontimit kërkon kohë dhe i kushtueshëm, pasi veshja dhe përbërësit e saj mbahen së bashku nga një fije sintetike me rezistencë të lartë – në shumicën e rasteve prej poliesteri. Përpara riciklimit, pjesët e veshjes duhet të ndahen dhe filli të hiqet, përndryshe cilësia e produktit të ricikluar do të rrezikohet. Resortecs ka projektuar një fije të tretshme, duke e bërë më të lehtë procesin e çmontimit dhe duke ndihmuar në mbajtjen e tekstileve në ekonomi.
Fijet e Resortecs shpërbëhen duke përdorur një furrë komerciale dhe janë të disponueshme për pika të ndryshme shkrirjeje (150oC, 170oC dhe 200oC) në varësi të llojit të veshjes që ndahet. Zgjidhja Resortecs lejon deri në 500 kg veshje të çmontohen në të njëjtën kohë.
Shumë kompani po miratojnë paketimin e ripërdorshëm si një mënyrë për të mbajtur materialet në qarkullim. Loop, i cili operon në Francë, MB dhe SHBA, është një platformë ripërdorimi që ofron produkte të markave të mëdha, si detergjent Tide dhe Ketchup Heinz, në paketim të ripërdorshëm. Kur një paketim është bosh, nuk ka nevojë që klienti ta pastrojë. Ai ose merret nga shtëpia e tyre ose mund të hidhet në
dyqanet pjesëmarrëse. Paketimet më pas pastrohen profesionalisht, rimbushen dhe përdoren përsëri.
Koha për veprim
Duke adoptuar parimin e dytë të ekonomisë qarkulluese – produktet dhe materialet në qarkullim – ne ruajmë vlerën e ngulitur në produktet dhe materialet prej të cilave janë bërë. Duke vepruar kështu, ne mbajmë materiale të kufizuara në ekonomi dhe jashtë mjedisit dhe i kthejmë në mënyrë të sigurt materialet e biodegradueshme në tokë.
Parimi i tretë i ekonomisë qarkulluese është rigjenerimi i natyrës. Duke kaluar nga një ekonomi lineare “merr-prodho-hidh” në një ekonomi qarkulluese, ne mbështesim proceset natyrore dhe i lëmë më shumë hapësirë natyrës që të lulëzojë.
Nga nxjerrja në rigjenerim
Duke e zhvendosur ekonominë tonë nga lineare në qarkulluese, ne e zhvendosim fokusin nga nxjerrja në rigjenerim. Në vend që të degradojmë vazhdimisht natyrën, ne ndërtojmë kapital natyror. Ne përdorim praktika bujqësore që lejojnë natyrën të rindërtojë tokat dhe të rrisë biodiversitetin dhe të kthejë materialet biologjike në tokë. Aktualisht, shumica e këtyre materialeve humbasin pas përdorimit dhe toka e përdorur për t’i rritur ato është e varfëruar me lëndë ushqyese.
Nëse kalojmë në një model rigjenerues, ne fillojmë të imitojmë sistemet natyrore. Nuk ka mbeturina në natyrë. Kur një gjethe bie nga një pemë ushqen pyllin. Për miliarda vjet, sistemet natyrore janë rigjeneruar. Mbeturinat janë një shpikje njerëzore.
Industria ushqimore
Industria më e qartë për të filluar kur kalohet në një ekonomi që rigjeneron natyrën është industria ushqimore. Mënyra e prodhimit të ushqimit në ditët e sotme është nxitëse e rëndësishme e ndryshimit të klimës dhe humbjes së biodiversitetit. Ajo mbështetet në sasi gjithnjë në rritje të plehrave sintetike, pesticideve, lëndëve djegëse fosile, ujit të freskët dhe burimeve të tjera të kufizuara. Këto janë burim ndotjeje dhe dëmtimi për ekosistemet dhe shëndetin e njeriut.
Duke prodhuar ushqimin tonë në mënyrë rigjeneruese, fokusi është në përmirësimin e shëndetit të tokës. Praktikat rigjeneruese të bujqësisë mund të reduktojnë ndjeshëm emetimet e gazeve serrë nga prodhimi i ushqimit duke reduktuar mbështetjen në inputet sintetike dhe duke ndërtuar toka të shëndetshme që e përthithin karbonin, në vend që ta çlirojnë atë. Përveçse ndihmojnë në rivendosjen e ciklit natyror të karbonit, tokat e shëndetshme janë më të afta të mbajnë ujë, duke reduktuar ndikimin e thatësirës dhe janë më të afta të thithin ujin, duke zvogëluar rrezikun e përmbytjeve.
Këto praktika rigjeneruese të prodhimit të ushqimit përfshijnë agroekologjinë, bujqësinë e ruajtjes dhe agropylltarinë (rritja e pemëve rreth ose midis kulturave ose kullotave). Kjo rezulton në tokë bujqësore që i ngjan më shumë ekosistemeve natyrore, si pyjet dhe kullotat vendase, duke siguruar habitat për një gamë të gjerë organizmash, duke rritur kështu biodiversitetin. Duke reduktuar nevojën për inpute sintetike dhe pesticide, mund të lulëzojnë pjalmuesit dhe mikrobet në tokë, të cilat janë thelbësore për mirëmbajtjen e ekosistemeve të shëndetshme.
Më shumë hapësirë për natyrën
Përveç sistemit ushqimor, ka përfitime të tjera për ekosistemet natyrore duke adoptuar një ekonomi qarkulluese. Duke mbajtur produktet dhe materialet në përdorim, kërkohet më pak tokë për të siguruar lëndë të parë të virgjër, p.sh. nga minierat. Nëse gradualisht shkëputim aktivitetin ekonomik nga nxjerrja e materialeve duke i mbajtur materialet në qarkullim pas përdorimit, gjithnjë e më shumë tokë mund t’i kthehet natyrës dhe mund të ndodhë rikthimi i tokës në gjendjen e saj natyrore të paprekur.
Në një ekonomi qarkulluese, toka e dedikuar për burimet materiale do të fokusohet gjithnjë e më shumë në burimet e rinovueshme, të rritura në mënyrë rigjeneruese, në vend të nxjerrjes së materialeve të fundme, të cilat do të mbeten gjithnjë e më shumë në qarkullim. E gjithë kjo do të mbështetet nga një kalim në energjinë 100% të rinovueshme, e prodhuar duke përdorur infrastrukturën e krijuar për ripërdorim, riparim, riprodhim dhe riciklim.
Trajtimi i ndryshimeve klimatike
Kalimi në energjinë e rinovueshme do të trajtojë vetëm 55% të emetimeve globale të gazeve serrë. Pjesa tjetër vjen nga mënyra se si ne prodhojmë dhe përdorim produktet dhe ushqimet, si dhe menaxhojmë tokën – këtu hyn ekonomia qarkulluese. Përfitimet ekonomike, shëndetësore dhe mjedisore të një ekonomie përdorim vetëm për ushqimin do të vlejnë 2.7 trilion dollarë në vit deri në vitin 2050. Duke
miratuar parimet e ekonomisë qarkulluese, industria ushqimore mund të përgjysmojë emetimet e parashikuara të gazeve serrë në vitin 2050.
Shembuj të kompanive që rigjenerojnë natyrën
Connect the Dotsështë një n ismë e udhëhequr nga qyteti për të promovuar bujqësinë rigjeneruese lokale në zonën rurale të shtetit të São Paulo, duke mbrojtur sistemet natyrore të kërcënuara nga shtrirja urbane dhe praktikat konvencionale bujqësore. Komuna blen prodhime nga fermerët vendas për të siguruar ushqim të shëndetshëm për njerëzit në nevojë. Ai e bën këtë me 30% më shumë se vlera e tregut për të
nxitur kalimin në praktika rigjeneruese dhe për të promovuar përfshirjen sociale.
Natura është kompania më e madhe kozmetike në Amerikën e Jugut dhe kompania e pestë më e madhe e bukurisë në botë. Ajo prodhon një gamë të madhe produktesh, duke përfshirë sapunë, kremra dhe shampo, të cilat të gjitha mbështeten në biodiversitetin e pasur të Amazonës për përbërësit dhe materialet, si dhe në ‘bio-inteligjencën’ e komuniteteve indigjene. Zinxhiri i furnizimit të kompanisë përfshin pothuajse 40 lloje të ‘aseteve të biodiversitetit’ (përbërës që rrjedhin nga bimët) dhe përfshirjen e rreth 7,000 familjeve.
Një element kyç i modelit të biznesit të Natura është koncepti i ekonomisë së “pyjeve që qëndrojnë” (angl.: standing forest) . Me fjalë të thjeshta, kjo do të thotë se një pemë ka shumë më tepër vlerë ekonomike duke qëndruar në këmbë/e mbjellë, sesa e prerë. Kjo filozofi ka ruajtur mbi 2 milionë hektarë të pyjeve tropikale të Amazonës, me synimin që kjo sipërfaqe të rritet në 3 milionë hektarë deri në vitin 2030.
Parimi i rigjenerimit të natyrës nuk kufizohet vetëm në tokë dhe mund të zbatohet edhe në oqean. Metoda 3D e kultivimit të oqeanit të GreenWave prodhon një përzierje të butakëve dhe algave të detit në një mënyrë pozitive për natyrën. Ai përfshin një rrjetë të thjeshtë litarësh dhe shportash të varura pak nën sipërfaqe, me specie që rriten në thellësi të ndryshme. Kjo qasje mund të përdoret për bujqësinë komerciale të produkteve të përdorura për ushqim, plehra, ushqim për kafshët dhe bioplastikë, duke rivendosur ekosistemet detare.
Fermat rigjeneruese të oqeanit mund të nxisin gjithashtu biodiversitetin detar. Asambletë e fermave imitojnë strukturën vertikale të një shkëmbi oqeanik, duke siguruar shtresa të habitateve të ndryshme për një larmi të gjerë speciesh detare.
Metoda 3D e bujqësisë rigjeneruese të oqeanit është shumë efektive pasi grumbullon një numër speciesh njëra mbi tjetrën, duke krijuar bollëk në një zonë të vogël. Meqenëse është mjaft e thjeshtë, kostot e fillimit janë të ulëta. Kushdo që ka akses në 20 hektarë dhe një varkë mund të ngrejë një fermë për 20,000 – 50,000 USD, duke prodhuar rreth 60,000 kg leshterik dhe 250,000 butakë çdo vit.
Duke ecur përpara
Duke adoptuar parimin e tretë të ekonomisë qarkulluese – rigjenero natyrën – ne mund të zhvendosim prioritetet tona. Fokusi ynë nuk duhet të jetë më thjesht për t’i bërë më pak dëm mjedisit, por se si mund ta përmirësojmë atë në mënyrë aktive. Nëse ekonomia ndjek parime qarkulluese, sa më shumë të bëjmë, aq më të mëdha janë përfitimet.
Referencë:
https://www.ellenmacarthurfoundation.org/topics/circular-economy-introduction/overview
https://www.ellenmacarthurfoundation.org/eliminate-waste-and-pollution
https://www.ellenmacarthurfoundation.org/circulate-products-and-materials
https://www.ellenmacarthurfoundation.org/regenerate-nature
© 2024 Qarkonomi. Created for free using WordPress and Kubio